KKTU, 16 kulla mbi 15 kate marrin leje, Tirana kryeson listën e projekteve të reja
Të paktën 16 projekte me lartësi 15 kate e sipër kanë marrë miratim nga KKTU, me shumicën e ndërtimeve të përqendruara në Tiranë.
Të paktën 16 leje të shqyrtuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) në mbledhjen e 17 korrikut parashikojnë projekte ndërtimi me lartësi 15 kate e më shumë. Pjesa më e madhe e tyre janë të përqendruara në Tiranë, ndërsa projekte të tjera shtrihen në zonat bregdetare. Një panoramë e ngjashme paraqitet edhe në vendimet e mbledhjeve të 30 korrikut dhe 13 gushtit.
Vendimet përfshijnë leje zhvillimi, leje ndërtimi ose rishikime të kushteve të lejeve ekzistuese dhe lidhen me godina rezidenciale, struktura shërbimi, hotele dhe komplekse me funksione të kombinuara. Në listën e miratuar dominojnë ndërtesat shumëkatëshe në kryeqytet, ku ndodhen edhe disa nga projektet me lartësinë më të madhe.
Garda Tower arrin në 43 kate, M-21 në 26 kate
Ndër projektet më të larta është “Garda Tower” në Tiranë, një objekt banimi, hotelerie dhe shërbimesh me 43 kate mbi tokë, për të cilin është kërkuar rishikim i kushteve gjatë ndërtimit. Projekti “M-21” parashikon një objekt shërbimi dhe banimi me 26 kate mbi tokë.
Në Tiranë janë miratuar gjithashtu “Elite Tower”, me godina banimi dhe shërbimi që arrijnë deri në 24 kate, “Vertical Village”, me objekt banimi dhe shërbimesh deri në 23 kate, si dhe projekte të tjera rezidenciale dhe shërbimi me lartësi nga 15 deri në 19 kate.
Dy struktura deri në 25 kate te Stadiumi “Selman Stërmasi”
Në listën e projekteve përfshihet edhe zhvillimi për rijetëzimin e Stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë. Projekti parashikon struktura shërbimi dhe hotelerie me lartësi 23 dhe 20 kate mbi tokë, si dhe struktura shërbimi dhe banimi me lartësi 25 dhe 21 kate. Ky zhvillim është pjesë e nismës së nisur nga qeveria përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve.
Ndër projektet e tjera në kryeqytet është një godinë shërbimi dhe banimi nga Invest Society me 1-15 kate mbi tokë dhe katër kate parkim nëntokë, si dhe një godinë banimi, shërbimi dhe hotelerie nga Elbavo me 3, 14, 17 dhe 19 kate. “Uzina Residence” parashikon një rezidencë me 16 kate mbi tokë.
“Scarlet Tower” parashikon një strukturë me funksione komplekse, shërbimi dhe rezidenciale me 12, 13, 14 dhe 15 kate mbi tokë, ndërsa “Vertical Community” përfshin një objekt rezidencial dhe shërbimesh me 12, 15, 17 dhe 18 kate. Një tjetër objekt banimi dhe shërbimi në Tiranë parashikon struktura me 10, 12, 14, 15 dhe 16 kate mbi tokë.
Kullat shtrihen edhe në Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Spille
Përveç Tiranës, disa nga projektet me lartësi të konsiderueshme janë përqendruar në zonat bregdetare. Në Durrës është miratuar një kompleks rezidencial dhe shërbimesh me struktura 6-7 dhe 20-21 kate mbi tokë. Në Vlorë është miratuar një godinë banimi dhe shërbimesh me 1-16 kate mbi tokë, ndërsa në Shëngjin të Lezhës projekti “Duna” parashikon një godinë shërbimi dhe banimi me 1-15 kate mbi tokë dhe dy kate nëntokë.
Në Spille të Rrogozhinës, projekti “The Wave” parashikon një Apart-Hotel me 15 kate mbi tokë dhe dy kate nëntokë. Në Kamëz është miratuar gjithashtu një projekt për godina banimi dhe shërbimi me 13 dhe 16 kate mbi tokë.
KKTU miraton edhe projekte në energji dhe infrastrukturë
Krahas ndërtesave shumëkatëshe, në mbledhjet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit janë shqyrtuar dhe miratuar edhe leje për investime në infrastrukturë dhe energji. Në sektorin energjetik përfshihen projekte për prodhimin e energjisë elektrike, mes tyre hidrocentrale dhe impiante fotovoltaike me kapacitete të ndryshme, që arrijnë deri në dhjetëra megavat.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)